
Ka momente në jetë kur gjithçka duhet të rifillojë. Jo sepse ajo që ishte më parë nuk kishte vlerë, por sepse fryma që na udhëheq kërkon një hapësirë të re për të marrë frymë më thellë. Ky është një nga ato momente për Booksinsta.
Nëse keni ndjekur profilin dhe faqen gjatë këtyre viteve, ndoshta keni vënë re se postimet e dikurshme janë fshirë. Nuk është një humbje, por një zgjedhje. Një zgjedhje për të pastruar hapësirën dhe për t’i dhënë vetes të drejtën për të nisur nga e para, me më shumë qartësi, më shumë përkushtim dhe me një vizion të ripërtërirë.
Booksinsta ka qenë gjithmonë më shumë se një faqe për libra. Ka qenë një vend takimi. Një dritare e vogël ku mendimet tona për leximin, jetën, shoqërinë dhe gjithçka që na shqetëson ose na frymëzon janë gërshetuar në një bisedë të vazhdueshme. Këto biseda, ndonëse shpesh virtuale, kanë qenë reale në thelb dhe kanë lënë gjurmë.
Ky kapitull i ri do të sjellë më shumë thellësi në përmbajtje. Do të ndaj përshtypjet e mia për libra të ndryshëm.Do të flas për tema që lidhen me vetëzhvillimin, me mënyrën se si përballemi me veten dhe me të tjerët. Nuk do të mungojnë shkrimet për artin, për filmin, për muzikën sepse të gjitha këto janë pjesë e një tërësie që formëson mënyrën se si jetojmë dhe e kuptojmë botën. Do të ketë hapësirë edhe për mendime rreth çështjeve sociale, për ato tema që shpesh anashkalohen, por që meritojnë të dëgjohen dhe të diskutohen.
Kam kaluar momente shumë të bukura me këtë komunitet. Dhe dua që kjo marrëdhënie të mos shuhet, por të rritet bashkë me ne. Të zhvillohet natyrshëm, ashtu siç zhvillohet çdo lidhje që ndërtohet me respekt, mirëbesim dhe dëshirë për të mësuar nga njëri-tjetri.
Faleminderit që keni qenë këtu. Faleminderit që keni lexuar, keni komentuar, keni reflektuar bashkë me mua. Shpresoj që në këtë hapësirë të rifreskuar të gjeni sërish diçka tuajën, diçka që ju flet, që ju mbështet, që ju frymëzon.
Dhe, si gjithmonë, mos ndaloni kurrë së lexuari.






