Blog

The Story of Christmas

Krishtlindja nuk ishte gjëja e parë që dishepujt e Krishtit do të mendonin se si ta festonin, menjëherë pas kryqëzimit të Tij. Të krishterët e shekullit të parë ishin të përqendruar te vazhdimësia e adhurimit të Perëndisë në tempull, në Jerusalem. Vetëm më vonë, ata filluan ta zgjeronin adhurimin e tyre në ditën e parë të javës (dita e diel, kur Krishti u kryqëzua). Jo vetëm kaq, por ata po prisnin që Krishti të kthehej shumë shpejt. Mirëpo, apostulli Pal u shkruan kundër kësaj gjëje të krishterëve në Selanik (Letra e Parë e Palit kishës në Thesalonik). Po ashtu, apostulli Pjetër përpiqet të shpjegojë në Letrën e tij të Dytë, pse po vonon ardhja e Krishtit.[1] Me fjalë të tjera, komuniteti i krishterë i shekullit të parë nuk ishte i përgatitur të priste ardhjen e dytë të Krishtit pas një kohe relativisht të gjatë (akoma e presin edhe tani). Si rrjedhojë, nuk ishte as i përgatitur të mendonte për festat që duhet të festonin në kontekstin afatgjatë.

            Me kalimin e kohës, kur u bë e qartë se ardhja e dytë e Krishtit nuk kishte për të ndodhur aq shpejt sa ishte menduar në fillim, kisha filloi të mendonte më shumë në përzgjedhjen e festimit të ngjarjeve kryesore.

            Në mesin e shekullit të dytë, të krishterët u përballën me atë që u quajt “mosmarrëveshja mbi Pashkën”. Festa judease e mbikalimit (çlirimi dhe largimi nga skllavëria e Egjiptit nën udhëheqjen e Moisiut) ishte shndërruar për të krishterët në atë që njihet si Festa e Pashkës. Mosmarrëveshja qëndronte rreth gjetjes së datës së saktë të kryqëzimit të Krishtit. Që nga ajo kohë festa e Pashkës lëviz brenda pesë javëve në periudhën mars-prill të çdo viti, duke qenë e  vështirë të arrihej në një datë të saktë të vetme. Kur Pashka u bë festë e pranuar, filloi diskutimi mbi Krishtlindjen.

            Edhe për festimin e lindjes së Krishtit, njësoj si dhe për Pashkën, pati kundërshti nga brenda kishës. Së pari, historive rreth lindjes së Krishtit (në ungjijtë sipas Mateut dhe Lukës apo nga dokumenta të tjera), iu deshën disa kohë që të arrinin në duart e të krishterëve të shpërndarë gjithandej Perandorisë Romake. Nga mesi i shekullit të dytë shfaqet një listë e librave që përbëjnë atë që të krishterët e quajnë Dhiata/Testamenti i Ri. Gjithashtu, rreth vitit 150 pas Krishtit, në rajonin e Antiokisë (pjesa juglindore e Turqisë së sotme), filloi të qarkullonte një dokument i titulluar “Ungjilli më i hershëm i Jakobit” (Protoevangelium of James), në të cilin pretendohej të tregoheshin ngjarje që kishin ndodhur para lindjes së Jezu Krishtit. Në këtë dokument tregohej mbi jetën e Marisë, duke zënë fill nga lindja e saj vetë e deri kur ajo lind  Krishtin, në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, bashkë me histori të tjera nga jeta e saj.[2] Sigurisht që, së pari, ky dokument nuk ishte i nivelit të atyre që ishin pjesë e Shkrimit të Shenjtë të të krishterëve.[3] Së dyti, disa si p.sh. Origjeni i Aleksandrisë (një mbrojtës i flaktë i krishtërimit) mendonin se festimi i ditëlindjeve nuk inkurajohej nga Bibla. Përkundrazi, dy festa ditëlindjesh që përshkruhen në Bibël, ajo e Faraonit të Egjiptit dhe e mbretit Herod, kishin përfunduar me ekzekutime. Gjithësesi, kishte diçka tjetër nga ana kulturore që ndihmoi në kalimin e këtyre pengesave. Në traditën romake kërkohej që familjarët e dikujt që kishte vdekur  ta përkujtonin me një ceremoni përmes një vakti ushqimor në përvjetorin e vdekjes. Në ngjashmëri me këtë traditë, të krishterët festonin përvjetorët e vdekjes së martirëve për besimin, por, ndryshe nga romakët, ata e konsideronin ditën e martirizimit si ditën e lindjes (kupto lindjen për në jetën shpirtërore të përtejshme). Së treti, kur qartazi mendimtarët e krishterë filluan të diskutojnë për Krishtlindjen, ata dëshironin që të gjenin me saktësi datën e kryqëzimit të Jezusit. Kjo vinte nga ndikimi i traditës judease, sipas së cilës figurat e mëdha biblike si Moisiu p.sh., vdiqën fiks në ditën në të cilën kishin lindur. P.sh., nëse na thuhej se Moisiu jetoi 120 vjet, kjo do të thoshte se vitet ishin të plota, d.m.th. Moisiu vdiq në ditën që mbushi 120 vjet. Kështu, duke ditur që Krishti u kryqëzua afër festës së mbikalimit, Tertuliani (afrikano-verior) dhe Hipoliti (romak) arritën në përfundimin se Krishti ishte kryqëzuar më 25 mars, e si rrjedhojë edhe kishte lindur në 25 mars. Kurse disa të tjerë arritën në përfundimin se Krishti kishte vdekur më 6 prill (pra, edhe kishte lindur më 6 prill). Por, duke qenë se interpretimi alegorik (çdo text ka një kuptim tjetër nga ai që lexohet drejtpërdrejt) ishte bërë popullor në atë kohë, doli në skenë një tjetër argument lidhur me Krishtlindjen. Sipas këtij argumenti, 25 marsi ishte ekuinoksi i pranverës, ditë, e cila, sipas paganëve, ishte përvjetori i krijimit të botës. Kjo tingëllonte mirë për disa të krishterë, duke qenë se Pali e identifikonte Jezuin si Adami i Ri (Romakëve 5:14) dhe libri i Zbulesës, kapitulli 21, përdor imazhin e rikrijimit.

            Mirëpo historia nuk mbaron me kaq. Nga disa interpretime të tjera të gabuara të Biblës, një person anonim shkroi, rreth 243 pas Krishtit, në “De Pascha Computus” (Mbi llogaritjen e festës së Pashkës) se 25 marsi nuk është data e duhur, duke qenë se Zoti krijoi Diellin ditën e katërt të Krijimit. Prandaj data e saktë duhet të jetë 28 marsi. Kjo teori nuk mundi të zërë vend, sepse qartazi përpiqej të lidhte Krishterimin me teoritë pagane mbi rolin e Diellit dhe adhurimit të tij, duke mos u mbështetur shumë në informacionin faktik historik dhe biblik.

            Në të njëjtën kohë me “Computus”, Sekstus Jul Afrikani (një historian) propozoi një tjetër variant teologjik. Duke marrë argumentin që mbante 25 marsin si ditën e lindjes, ai tha se në fakt 25 marsi është mishërimi i Jezusit përmes ngjizjes në barkun e Maries, e si rrjedhojë Jezui lindi nëntë muaj më vonë, pra, më 25 dhjetor. Kështu, ai ishte në gjendje të ruante edhe solsticin e dimrit. Sigurisht, edhe kjo teori nuk ishte fort e bazuar në Bibël, por 25 dhjetori do të mbetej nga ky moment e tutje si dita e Krishtlindjes.

            Por, në fakt, a është vetëm kaq historia e Krishtlindjes? Jo nuk është! Artikulli në vijim do të sjellë argumente të tjera të lidhura më ngushtë me historinë biblike rreth datës së Krishtlindjes.

            [1]Joseph F. Kelly, “The Birth of Christmas,” in Christmas and Epiphany, ed. Robert B. Kruschwitz, (Waco, TX: The Center for Christian Ethics Baylor University, 2011), 11.

            [2]Kruschwitz, 12.

            [3]Kruschwitz, 13.

        

Dikush që lexon Biblën e ka të pamundur të gjejë të shkruar datën dhe vitin e lindjes së Krishtit. Por, a e mbyll diskutimin ky fakt? Jo! Megjithëse Bibla nuk na tregon datën e saktë të lindjes së Jezusit, ajo na jep ca të dhëna që mund të ndihmojnë diskutimin.

            Disa studiues argumentojnë se lindja e Krishtit nuk mund të ketë ndodhur në fund të dhjetorit, duke qenë se është ftohtë. Historia biblike për Krishtlindjen flet mes të tjerash edhe për barinj që kalonin natën jashtë në fusha bashkë me bagëtinë e tyre. Dhe kjo nuk do të kishte qenë e mundur në dhjetor, kur edhe delet do të ishin të qethura e me më pak mundësi për të qëndruar jashtë nëpër fusha në të ftohtë. Ky grup studiuesish propozon pranverën si kohën e mundshme për lindjen e Krishtit. Megjithatë, kjo nuk është 100% e sigurt. Në librin e parë të Biblës, Zanafilla, lexojmë se Jakobi iu ankua Labanos (vjehrrit të tij), sepse kishte vuajtur nga i ftohti netëve kur kulloste bagëtitë e tij. Gjithashtu, duhet patur parasysh se Judeja, ku kanë ndodhur (një pjesë e Izraelit) ngjarjet, ka klimë mesdhetare, pra, dimër të butë e jo të ftohtë si p.sh. një pjesë e Evropës.

            Një grup tjetër studiuesish përpiqet të gjejë datën, duke hetuar të dhënat që përftohen nga historia lidhur me lindjen e Gjon Pagëzorit, të përshkruar në Ungjillin sipas Lukës. Historia biblike tregon se Gjon Pagëzori ishte rreth gjashtë muaj më i madh se Jezusi (Luka 1:26). Zakaria, i ati i Gjon Pagëzorit, ishte prift sipas rendit të Abias (Luka 1:5). Atij i ra shorti të hyjë në vendin shumë të shenjtë të tempullit në Jerusalem. Studiuesit thonë se kjo ndodhi në fillim të verës. Aty Zakaria dëgjoi Zotin t’i fliste, teksa po ofronte flijimin e përvitshëm. Zoti i tha që ai dhe gruaja e tij, Elizabeta, do të bëheshin prindër edhe pse në një moshë të shtyrë. Kështu që, Elizabeta lindi Gjon Pagëzorin nëntë muaj më pas, pra, diku nga fillimi i pranverës. Afërsisht gjashtë muaj më pas lindi Krishti, pra, në fillim të vjeshtës së po atij viti. Megjithatë, disa studiues nuk mendojnë që ky argumentim është pa të meta. Ata vënë në dukje se i gjithë ky argument mbështetet mbi hamendësimin se kur e kreu shërbimin Zakaria në tempull dhe kur u ngjiz Gjon Pagëzori. Ka një mundësi tjetër sipas të cilës, nëse shkojmë prapa nga viti 70 pas Krishtit, vit kur u shkatërrua tempulli në Jerusalem nga Romakët, atëherë Zakaria do të kishte shërbyer në tempull në javën e parë të tetorit. Si rrjedhojë, Jezusi do të kishte lindur diku në fund dhjetori ose fillim janari.

            Një tjetër mundësi rreth kohës kur ka lindur Krishti ka të bëjë me argumentimin nga Ungjilli sipas Gjonit 1:14, sipas të cilit “Fjala (Jezusi) u bë mish dhe banoi ndër ne”. Disa studiues mendojnë se fjala banoivjen nga rrënja e fjalës tendë ose tabernakull. Prandaj, duke qenë se izraelitët e festonin Festën e Tabernakujve (kasolleve/tendave) në vjeshtë, atëherë edhe Jezusi ka lindur në këtë kohë. Pra, ai ka bërë tendën e tij në mes të njerëzve, në Festën e  Tabernakujve, festë në të cilën festohej prania e Perëndisë në mes të Izraelit. Disa studiues e hedhin poshtë këtë argument, duke thënë se në Dhiatën e Vjetër nuk ka një bashkëshoqërim mes Festës së Tabernakujve (kasolleve) dhe Perëndisë që banon në mes të Izraelit. Në fakt, sipas këtyre studiuesve, nuk ka asnjë varg të Dhiatës së Vjetër që thotë se Perëndia “zuri vend” mes Izraelit në këtë festë. Kur Bibla tregon se si ndodhet në mes të Izraelit prania e Perëndisë,  përdoren fjalë të tjera dhe momente të tjera. Në fakt, Festa e Tabernakujve ishte një festë e të korrave (Ligji i Përtërirë 16:13-16). Po kështu, te Levitiku 23:39-43 tregohet se si kjo festë shërben për të treguar mirënjohje për të korrat dhe si kujtesë se Izraeli banoi në kasolle kur u largua nga skllavëria egjiptase. Ndoshta Jezusi ka lindur në këtë kohë, por Shkrimet nga Gjoni dhe ato rreth Festës së Taberbakujve nuk ndihmojnë në gjetjen e datës së saktë.

            Sido që të jetë diskutimi lidhur me datën e saktë të lindjes së Krishtit, një gjë është e sigurt: Ai lindi, jetoi, kreu shërbesën, u kryqëzua dhe më pas u ringjall. Për këtë shkak është gjithmonë e rëndësishme për të krishterët që të festojnë e të kujtojnë Krishtlindjen.

Në vazhdim do të shohim disa argumente kundër Krishtlindjes dhe përgjigjet ndaj tyre.

Krishtlindja është një mit. Ajo nuk ka një bazë historike.

Baza mbi të cilën ngrihet Krishtlindja e rrëzon hipotezën se ajo mund të jetë mit. Që kjo kritikë të qëndrojë, duhet provuar së pari që Krishti nuk ishte një person historik i vërtetë. Kjo do të thotë se historitë e kryqëzimit, varrit bosh (në të cilin u varros Jezusi) dhe ringjalljes nuk janë të vërteta.

            Por, Jezusi ishte një person i historik vërtetë, i cili u vra në kryq. Këtë fakt e pohojnë edhe kritikë që nuk janë të krishterë. Ja, çfarë thonë disa prej tyre:

“Është më se e sigurt se Jezusi u kryqëzua rreth vitit 30.” – Gerd Lydeman[1]

“Që ai [Jezusi] u kryqëzua, është po aq e sigurt sa ç’mund të jetë çdo gjë tjetër historike, duke qenë se si Jozefi, ashtu edhe Taciti [dy historianë të antikitetit] … bien dakort me historitë e të krishterëve mbi këtë fakt themelor.” – Xhon Dominik Krosan[2]

“Fakti i vetëm më i qëndrueshëm lidhur me jetën e Jezusit është vdekja e tij: ai u ekzekutua nga prefekti romak Pilati gjatë ose rreth Festës së Mbikalimit, me atë mënyrën që romakët e ruanin veçanërisht për rebelët politikë, e quajtur kryqëzim”. – Paula Frederiksen[3]

“Kryqëzimi i Jezusit nga romakët është një nga faktet më të sigurta që kemi për jetën e tij. Kurdoherë që dikush shkruan një libër rreth Jezusit historik është shumë (shumë, shumë) e rëndësishme të shohësh nëse ajo që thotë për shërbesën e tij publike të mund të jetë në harmoni me vdekjen e tij. Nëse jo, atëherë ke një problem.” -Bart Erman [4]

            Së dyti, që kritika e mësipërme të qëndrojë, duhet gjithashtu të provohet se dokumentat që përbëjnë atë që quhet Bibël të jenë të trilluara e pa një mbështetje historike. Tashmë është e pranuar nga të gjithë studiuesit seriozë të dokumentave antikë se dokumentat që përbëjnë atë që quhet Dhiata e Re janë më mirë të vërtetuar se çdo dokument tjetër i lashtësisë. P.sh. Beniamin Uorfildi (mbajtës i katër doktoraturave dhe profesor i teologjisë sistematike në Seminarin Teologjik të Prinstonit, SHBA) deklaron se:

“Nëse krahasojmë gjendjen e tanishme të tekstit të Dhiatës së Re me atë të çfarëdo shkrimi tjetër antik, na duhet … të deklarojmë se është i saktë në mënyrë të mahnitshme. I tillë ka qenë kujdesi me të cilin është kopjuar Dhiata e Re. … Dhiata e Re [është] e parivalizueshme në mes të shkrimeve të tjera të lashta për sa i takon pastërtisë së tekstit të tij siç është transmetuar dhe mbajtur në përdorim.”[5]

            Nëse i drejtohemi provës bibliografike të teksteve të lashta (sipas të cilës sa më shumë kopje dhe sa më i vogël intervali kohor mes kopjes më të hershme dhe kohës kur është shkruar origjinali, aq më të sigurt jemi për një dokument të lashtësisë), ajo dëshmon për një siguri të pashoqe lidhur me transmetimin besnik të shkrimeve të Dhiatës së Re krahasuar me dokumenta të tjera të lashtësisë, që mbahen për të vërtetë sot. Studiuesi Josh Mek-Dauell citon në librin e tij “Më shumë se zdrukthëtar” (fq. 87) Sër Frederik Kenionin, drejtorin dhe kryebibliotekarin e Muzeut Britanik, autoriteti i të cilit mbi dorëshkrimet e lashta nuk kalohet nga askush:

“Intervali midis datave të [dokumentave] origjinalëve dhe provave [dokumentave] më të hershme ekzistuese bëhet aq i vogël, sa të jetë i pallogaritshëm, dhe themeli i fundit për ndonjë dyshim se mos Shkrimi i Shenjtë nuk na ka ardhur siç ishte shkruar në fillim është hequr. Edhe autenticiteti, edhe integriteti i përgjithshëm i librave të Dhiatës së Re mund të quhen të vërtetuara përfundimisht.

            Për sa i përket numrit të kopjeve, Mek-Dauelli thotë: “Nga  viti 2009 janë në ekzistencë më shumë se njëzet mijë kopje dorëshkrimesh të Dhiatës së Re. Iliada, që është e dyta pas  Dhiatës së Re për nga autoriteti  i dorëshkrimeve, ka vetëm 643 dorëshkrime në ekzistencë”. Mek-Dauelli citon gjithashtu studiuesin  e  greqishtes  së  Dhiatës  së  Re,  Xh. Harold Grinlin, i cili shton: “Meqenëse studiuesit pranojnë si përgjithësisht të besueshme shkrimet e klasikëve të lashtë, megjithëse dorëshkrimet më të vjetra u shkruan shumë kohë pas origjinaleve dhe numri i dorëshkrimeve ekzistuese është në shumë raste aq i vogël, është e qartë se besueshmëria e tekstit të Dhiatës së Re është e sigurt.”

            Si përfundim, shkenca e historisë e ka tashmë të mbyllur diskutimin mbi historicitetin e personit të Jezu Krishtit. Për arsye të formatit, nuk mund të zgjerohemi më shumë në këtë artikull.

            [1]Gerd Lüdemann, What Really Happened to Jesus: A Historical Approach to the Resurrection, trans. John Bowden, 1st American (Louisville, KY: Westminster John Knox, 1995), 8.

            [2]John Dominic Crossan, Jesus: A Revolutionary Biography (New York: HarperOne, 2009), 163–64.

            [3]Paula Fredericksen, Jesus of Nazareth, King of the Jews: A Jewish Life and the Emergence of Christianity (New York: Vintage Books USA, 1999), 8.

            [4]Bart D. Ehrman, “Why Was Jesus Killed,” The Bart Ehrman Blog: The History and Literature of Early Christianity (blog), accessed April 2, 2020, https://ehrmanblog.org/why-was-jesus-killed-for-members/.

            [5]Siç është cituar nga Bruce M. Metzger në intervistën e tij “The Documentary Evidence: Were Jesus’ Biographies Reliably Preserved for Us?” Lee Strobel, The Case for Christ: A Journalist’s Personal Investigation of the Evidence for Jesus, eBook updated & expanded (Grand Rapids, MI: Zondervan, Willow Creek Resources, 2016), 70.

A është Krishtlindja një festë e krishterë e përzier me elementë paganë?

            Le të fillojmë shqyrtimin tonë duke përkufizuar paganizmin. Fjala pagan është përdorur zakonisht për të përkufizuar dikë që beson në adhurimin e një perëndie apo shumë perëndive të ndryshëm nga Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Prandaj, besime që nuk janë pjesë e krishterimit, judaizmit dhe islamit janë parë shpesh si pagane. Në një pikëpamje të gjerë, paganizmi është parë si çdo besim që nuk beson në një Perëndi (pra, nuk është një fe monoteiste). Shpesh paganizmi është përkufizuar si adhurimi i shumë perëndive (politeizëm).

            Perandoria romake, që i kishte fillimet në vitin 31 para Krishtit, kishte adhurimin e shumë perëndive deri në shekullin e katërt. Kishte perëndi që ishin të lidhur me çdo pjesë të jetës romake. Shumë nga këto perëndi kishin një ditë të caktuar adhurimi. Saturnalia, për shembull, ishte një festë që kremtohej nga 17-23 dhjetor, në nder të Saturnit, perëndi i bujqësisë. Kjo festë kulmonte me festimin e asaj që quhej Brumalia, e cila ishte kremtimi i  solsticit dimëror. Kjo është koha kur Dielli fillon të lindë gjithnjë e më shumë në horizontin drejt veriut, duke bërë kështu që dita të fillojë të marrë nga nata. Brumalia ishte e rëndësishme sepse romakët besonin që Dielli ishte një perëndi. Dielli shikohej si i rilindur dhe që do të nxirrte botën nga errësira e gjatë dimërore në dritë. Brumalia kremtohej me ushqime, pije, zbukurime dhe dhurata. Kremtohej më 25 dhjetor.

            Të kthehemi te kundërshtia ndaj Krishtlindjes. Kur dikush thotë që Krishtlindja është festë pagane, çfarë po thotë? Ai po thotë se, meqë 25 dhjetori është kremtimi i Brumalias, atëherë të krishterët që ndryshuan emrin në Krishtlindje po festojnë një feste pagane të maskuar. Krishtlindja, lindja e Birit të Perëndisë është e barabartë me rilindjen e Diellit në solsticin e dimrit.

            A është i vlefshëm ky përfundim? A po festohet me të vërtetë lindja fizike e Diellit në festimin e lindjes së Jezusit, Birit të Perëndisë, më 25 dhjetor? Megjithëse të krishterët i këndojnë Zotit, e adhurojnë, i luten atij e të tjera gjëra të ngjashme me ato të paganëve, praktikat e tjera pagane, si ofrimi i qenieve njerëzore, prerja me thika, adhurimi i disa perëndive apo praktika të tjera të ngjashme, as që mund të mendohen nga të krishterët. Përkundrazi, praktika të tilla janë të ndaluara në Bibël.

            Si përfundim, të krishterët nuk festojnë festën romake Saturnalia ose Brumalia, kur festojnë lindjen e Krishtit. Ata nuk adhurojnë as planetin Saturn, dhe as Diellin. Kremtojnë Birin e Perëndisë që erdhi si shpëtimtar i gjithë botës. Të krishterët që festojnë lindjen e Jezusit nuk adhurojnë perëndi të tjera, Sol, Osiris, Horus ose Mithra (emra që lidhen me Diellin si perëndi) më 25 dhjetor. Të krishterët adhurojnë Birin si Perëndi i Vërtetë. Krishtlindja s’është festë pagane dhe kurrë nuk do të jetë. 

Burimi : https://www.ijr.al/sq/leaders/profesioniste/krishtlindja/historia-dhe-kuptimi-i-vertete-i-krishtlindjes111.html

Related Articles

Back to top button